Shkaqet e largimit te ortakut nga shpk, te percaktuara nga ligji, statuti apo gjykata

TEMA: “SHKAQET E LARGIMIT TË ORTAKUT NGA SHOQËRIA ME PËRGJEGJËSI TË KUFIZUAR JANË PARASHIKIME VETËM TË LIGJIT,  STATUTIT,  APO I LIHEN GJYKATËS NË ÇMIM RAST PAS RASTI?” (VËSHTRIM KRAHASIMOR ME JURISPRUDENCËN E HUAJ)

Përmbajtja:1. Hyrje; 2. Shkaqet e largimit të ortakut nga shoqëria me përgjegjësi të kufizuar, parë në frymën e doktrinës dhe jurisprudencës 3. Konkluzione dhe rekomandime; Bibliografia

  1. HYRJE

Instituti i largimit të ortakut nga shoqëria (tërheqja me vullnetin e tij) është një institut i cili i jep mundësi shoqërisë dhe ortakëve që t’i japin fund marrëdhënies  së  ortakërisë  së  një  ortaku  të  caktuar  në  një  SHPK. Për herë të parë, në legjislacionin shqiptar ky institut është parashikuar në Kodin Tregtar të vitit 1932, në nenet 250 -252 “Përjashtimi dhe tërheqja e shokëvet[1] por, për shkak të ndryshimeve regresive ligjore të ndodhura në sistemin politiko-ekonimik shqiptar,pas Luftës së Dytë Botërore, legjislacioni për shoqëritë tregtare u shfuqizua. Ky institut është një mekanizëm i rëndësishëm në interes të shoqërive me përgjegjësi të kufizuara, aplikimi i të cilit mund të shërbejë pozitivisht si alternativë në zgjidhjen e situatave konfliktuale që lindin  mes  ortakëve  të  shoqërisë  dhe  që  synon  në  “shërimin”  e  gjendjeve  të mosmarrëveshjeve serioze në shoqëri,duke shmangur prishjen e shoqërisë tregtare.[2]

Nga praktika gjyqësore ka rezultuar se termi “largim i ortakut” është kuptuar në mënyrë të paqartë nga përdoruesit, duke e keqkuptuar si largim kundër vullnetit të tij, pra si përjashtim ortaku. Në vendimin Nr.8091  datë  13.10.2016 e  Gjykatës  së Rrethit  Gjyqësor  Tiranë[3] rezulton  se  paditësi fillimisht në padi ka kërkuar largimin e ortakut,por ndërkohë shkaku ligjor i padisë dhe argumentimi i saj nënkuptonin se paditësi është duke kërkuar përjashtimin e ortakut. Në këtë rast  rezulton  se  paditësi  ka  bërë saktësimin  (ndryshimin)  e  objektit  të padisë,  pa ndryshuar  bazën  ligjore.  Ky fakt mund t’i adresohet dhe legjislatorit,si një mundësi për përmirësimin e terminologjisë së këtij instituti.

  1. SHKAQET E LARGIMIT TË ORTAKUT NGA SHOQËRIA ME PËRGJEGJËSI TË KUFIZUAR, PARË NË FRYMËN E DOKTRINËS DHE JURISPRUDENCËS

Largimi i ortakut është e drejta e këtij të fundit për të dalë nga shoqëria, duke shfaqur një vullnet të njëanshëm. Megjithatë shfaqja e vullnetit të njëanshëm kërkon nga ana tjetër shkaqe të ligjshme për largimin dhe një shqyrtim rigoroz të tyre nga ana e organeve të shoqërisë në mënyrë që të arrihet një vendimmarrje e vlefshme nga pikëpamja ligjore[4]. Largimi (tërheqja) i ortakut është parashikuar nga neni 101 i ligjit nr.9901/2008 “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare” i ndryshuar , në të cilin janë listuar  dhe  disa  nga  rastet  që  konsiderohen  shkaqe  të  arsyeshme  që  ortaku vlerëson të largohet  nga  një  SHPK. Sipas  kësaj  dispozite,ortaku  ka  të drejtë  që  të largohet  nga shoqëria:

  • në rast se ortakët e tjerë ose vetë shoqëria kanë kryer veprime në dëm të tij;
  • në rast se është penguar të ushtrojë të drejtat e tij në SHPK;
  • në rast se organet e SHPK-së i kanë ngarkuar detyrime të pa arsyeshme;
  • ose për shkaqe të tjera, që e bëjnë të pamundur vazhdimin e ortakërisë[5].

Nga sa më sipër, konstatohet se kjo nuk është një listë shtëruese e shkaqeve të largimit pasi në këte paragraf parashikohet që ortaku mund të largohet edhe për shkaqe të tjera që e bëjnë të pamundur vazhdimin e ortakërisë. Ky parashikim ligjor, vjen në përputhje të plote me parimin bazë të krijimit dhe funksionimit të një shoqërie tregetare si bashkim vullnetesh, i sanksionuar në nenin 3 të LSHT. Procesi i krijimit dhe funksionimit të një shoqërie tregtare private me më shumë se dy ortakë, përbën në vetvete një kontratë me të drejta dhe detyrime të përbashkëta, e cila lidhet me vullnetin e palëve pjesëmarrëse në të. Në momentin që ky vullnet nuk ekziston ose është cenuar mirëbesimi mes ortakeve, Ligji i njeh gjithsecilit nga ortakët, të drejtën për t’u larguar nga shoqëria për shkaqe që e bëjnë të pamundur vazhdimin e ortakërisë dhe të drejtën për të kërkuar likuidimin e kuotës respektive[6].

Procedura: Në rast se nje ortak i SHPK-së kërkon të largohet nga shoqëria,ka detyrimin që të njoftojë shoqërinë me shkrim, si dhe ta njohë shoqërinë me shkaqet e largimit[7]. Pas marrjes së njoftimit, administratori  i  shoqërisë duhet  të  thërrasë mbledhjen  e  AP menjëherë. Ky organ ka në kompetencë për të vendosur nëse ortakut do t’i likuidohet kuota e tij apo jo. Ky vendim merret në varësi të vlerësimit të AO, nëse shkaqet e largimit janë apo jo të arsyeshme[8]. Sipas  paragrafit  4  të nenit 104,  në  rast  se administratori  refuzon  të mbledhë  AP  për  të vendosur lidhur me kërkesën e ortakut për largimin dhe likuidimin e kuotën, ortaku ka të drejtë që t’i drejtohet gjykatës dhe të kërkojë detyrimin e shoqërisë për likuidimin e kuotës.

Nëse u referohemi doktrinës dhe legjislacioneve të tjera, konstatojmë se në legjislacionin e shtetit të Delaware në SHBA,si dhe jurisprudencës së këtij vendi,[9] rezulton se largimi i ortakut nga shoqëria nuk mund të bëhet thjesht me vullnetin e tij, në rast se nuk është parashikuar  nga  vetë  marrëveshja  e  ortakëve,  pra  nga  statuti  i  shoqërisë.  Sipas  këtij qëndrimi,  SHPK-ja  është  në  thelb  një  krijesë që  buron  nga  kontrata  e  themelimit  mes ortakëve dhe si e tillë,ajo duhet të respektohet nga të gjithë ortakët.

Ndërsa në legjislacionin italian,rezulton se është e parashikuar shprehimisht në nenin 2473 prg.2  i  K.Civil Italian[10] e  drejta  e  ortakut  për  t’u  larguar  nga  shoqëria  duke  njoftuar paraprakisht shoqërinë 180 ditë përpara[11]. Pra sipas këtij kodi është e qartë që vendimi i largimit është e drejtë ekskluzive e ortakut dhe madje,nuk kushtëzohet kjo e drejtë as me ekzistencën e shkaqeve të ligjshme,por vetëm me detyrimin për të njoftuar shoqërinë 180 ditë përpara. Edhe sipas doktrinës italiane, rezulton se akti i themelimit mund të shërbejë si një  kuadër  i  mire rregullator  përsa  i  përket  disiplinimit  të  procedurave  të  largimit  të ortakut në një SHPK[12].

Jurispridenca gjyqsore italiane, në vendimin nr.04 716/2020 të Gjykatës së Lartë të Kasacionit përcakton se “nga interpretimi i nenit 2437 te K.Civil italian paragrafi i tretë i të cilit parashikon të drejtën e largimit të ortakut, është një rregull i derogueshëm, duke u parashikuar në paragrafin e fundit të të njëjtit nen si i detyrueshëm vetëm për rastet e largimit të parashikuara në paragrafin  eparë. Duke qenë se kjo është një dispozitë e derogueshme, ortaku nuk mund të ankohet për shkelje nëpërmjet një dispozite statutore pasi nuk e përfshin këtë.”

Statuti i një shoqërie tregtare, përcakton në formë unike marrëveshjen e themelueseve të saj për formën e shoqërisë, mënyrën e administrimit të saj, kapitalin dhe kontributet e ortakëve; kompetencat e administratorëve, objektin e administrimit,vendimarrjen e ortakëve. Largimi i ortakut përbën një nga aspektet që përfshihen në çështjet potencialisht të rregulluara në statut, në mungesë të tyre, hyjnë në zbatim parashikimet ligjore sipas nenit 102 e vijues të Ligjit “Për shoqëritë Tregtare”.

Sa i përket praktikës gjyqsore shqiptare, sipas Vendimit nr.488,datë 25.11.2015 Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se për sa i përket Shoqërive me Përgjegjësi të Kufizuar, Ligji për Shoqëritë Tregtare parashikon mundësinë e largimit (Neni 101 i LSHT-së). Në bazë të nenit 103 të LSHT Statuti nuk mund të përjashtojë apo të kufizojë të drejtën e ortakut për t’u larguar nga shoqëria dhe të drejtën e shoqërisë për të përjashtuar ortakun. Parashikimi i një dispozite të tillë në Statut, do të ishte e pavlefshme dhe si e tillë edhe e pazbatueshme nga gjykata[13].

Gjithashtu me vendimin nr. 152,datë 11.05.2016, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson të theksojë se në interpretim të nenit 101, të Ligjit Nr.9901/2008, përfundimi i marrëdhënies së ortakërisë duhet të bëhet gjithmonë për shkaqe të arsyeshme pasi është parashikuar shprehimisht se shkaku duhet të jetë i tillë që të “bëjë të papranueshme vazhdimin e ortakërisë për ortakun”. Në rastin në gjykim, ka rezultuar se pala e paditur kundër-paditëse Sokol Habilaj ka kërkuar largimin nga shoqëria për një shkak të  arsyeshëm,  si shkelja e së drejtës së informimit parashikuar në nenin 15 të Ligjit Nr. 9901/2008. Ky Kolegj, vlerëson se e drejta e një ortaku për t’u larguar nga shoqëria nëse ekziston një shkak i arsyeshëm që e bën të papranueshme vazhdimin e ortakërisë, nuk e përjashton të drejtën për t`u kompensuar për vlerën e kuotës të cilën ortaku e dorëzonme largimin e tij, në të kundërt e drejta për t`u larguar nuk do të kishte asnjëdobi dhe interes ekonomik për ortakun. Për këtë arsye, pala e paditur kundër-paditëse legjitimohet t`ì drejtohet gjykatës për likuidimin e kuotës së tij.

  1. KONKLUZIONE DHE REKOMANDIME

Në kushtet kur ky ligj i ka dhënë një hapësirë të madhe autonomisë stature dhe veçanërisht përsa u përket rregullimit të marrëdhënieve mes  ortakëve, ortakët  themelues  mund  të aplikojnë  dispozita  që disiplinojnë  në  mënyrë  më  të qartë mënyrën e largimit (daljes apo tërheqjes nga shoqëria),qoftë përsa i përket shkaqeve të arsyeshme qoftë përsa i përket procedurës dhe pasojave financiare të likuidimit të kuotës.

Sipas nenit103/2 të LSHT statuti nuk mund të kufizojë apo të heqë të drejtën ortakut për t’u larguar dhe as AO për të kërkuar përjashtimin, por kjo nuk do të thotë që statuti të mos ofrojë dispozita më të qarta për aplikimin e këtyre instituteve të rëndësishme në praktikë.

Në kushtet kur ekzistojnë disa aspekte të paqarta lidhur procedurën e largimit të ortakut,do  të  ishte  e  rekomandueshme  për  legjislatorin,që  të marrë  masa  për përmirësimin e formulimit  të  nenit  101  të  ligjit  9901/2008, me  qëllim  përcaktimin  më  të  qartë  të  kësaj procedure.

Gjithashtu Gjykata e Lartë mund të japë një kontribut të vyer me jurisprudencën e  saj  njehsuese,  me  qëllim  unifikimin  e  praktikave  të  ndryshme  në  gjykatat  më të  ulëta lidhur me këtë çështje.

BIBLIOGRAFI:

  1. Ligji Nr. 9901/2008 “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare” i ndryshuar ;
  2. Delaware Limited Liability Company Act;
  3. Kodi Civil Italian.
  4. Artan Hajdari, Punim Doktoraturë “Natyra juridike e administrimit të shoqërive tregtare”;
  5. Argita Malltezi, Jonida Rystemaj dhe Armela Kromiçi, “Gjykatat Shqiptare mbi shoqëritë dhe veprimtarinë Tregtare.”
  6. Fatri Islamaj, Punim Doktoraturë “Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar në Shqipëri”;
  7. Fatri Islamaj, “Vështrim krahasues i disa instituteve të shoqërive tregtare sipas kodit tregtar të vitit 1932 dhe ligjit aktual Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare në Shqipëri” (2020) 1 Revista Juridike Shkencore “Jeta Juridike”;
  8. Francesco Galgano (përktheu Alban Dauti dhe Artan  Fida), E Drejta Tregtare (Botim kompakt i Luarasi University Press 2009;
  9. Tarik J Haskins, “Exit Stage Left: Getting out of Your Limited Liabilitity Company” (ABA, 31 korrik 2013) .
  10. Vendim Nr. 6490,datë 20.07.2016 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë;
  11. Vendim Nr. 8091 datë 13.10.2016 e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë;
  12. Vendim Nr. 3429,datë 02.05.2018 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë;
  13. Vendim Nr. 479,datë 23.10.2012 Gjykata e Apelit Tiranë;
  14. Vendim Nr. 488,datë 25.11.2015 Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë;
  15. Vendimi Nr. 152,datë 11.05.2016 Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë;

[1] Fatri Islamaj, “Vështrim krahasues i disa instituteve të shoqërive tregtare sipas kodit tregtar të vitit 1932 dhe ligjit aktual Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare në Shqipëri” (2020) 1 Revista Juridike Shkencore “Jeta Juridike”fq.27-52.

[2] Fatri Islamaj, Punim Doktoraturë “Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar në Shqipëri”, fq 211.

[3] Shih vendimin Nr. 8091 datë 13.10.2016 e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

[4] Artan Hajdari, Punim Doktoraturë “Natyra juridike e administrimit të shoqërive tregtare”,fq53.

[5] Ligji 9901/2008 “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare” i ndryshuar, neni 101/1.

[6] Vendim nr.479,datë 23.10.2012 Gjykata e Apelit Tiranë.

[7] Ligji 9901/2008 “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare” i ndryshuar, neni 101/2.

[8] Ligji 9901/2008 “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare” i ndryshuar, neni 101/3.

[9]Tarik J Haskins, “Exit Stage Left: Getting out of Your Limited Liabilitity Company” (ABA, 31 korrik 2013)  <https://www.americanbar.org/groups/business_laë/publications/blt/2013/07/01_haskins/>  aksesuar më 10 shtator 2020. Shiko edhe Delaware Limited Liability Company Act si dhe çështjen Chancery Court (Delaware USA), Ross Holding & Mgmt. Co. v. Advance Realty Grp LLC, (2010) WL 3448227.

[10] Regio Decreto 16 marzo 1942, n. 262, Approvazione del testo del Codice civile [1942] GU 79 i azhornuar.

[11] Galgano (n 200) fq.964.

[12] Po aty,fq.964-965.

[13] Vendim nr.3429,datë 02.05.2018 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë; Vendim nr. 6490,datë 20.07.2016 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.