Mbrojtja e të dhënave personale është një nga tematikat më të nxehta kohët e fundit jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë.
Nëse do t’i referoheshim ngjarjeve të fundit në vendin tonë, do të evidentonim një sërë rastesh të shkeljes së të dhënave personale. Shumica e punëmarrëseve shqiptar u përfshinë në dhjetor të vitit të kaluar në skandalin e publikimit te databazës së pagave. Rrjedhja e të dhënave personale vijoi më tej me publikimin e targave të makinave. Mediat shqiptare gjithmonë e më shumë transmetojnë programe televizive, ku marrin pjesë gazetarë investigativë të cilët gjatë debateve në studio televizive nga analizat që bëjnë lënë të kuptojnë në mënyre eksplicite që u janë vënë në dispozicion fashikujt gjyqësor dhe shikuesit apo palës në proçes shpesh i lind pyetja: A kanë të drejtë gazetarët të kenë akses në akte proçeduriale, që përmbajnë të dhëna personale?
Ndaj objekt i analizës sonë në këtë rast do të jetë një vendim i fundit i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në lidhje me të drejtën e aksesit të gazetarëve në të dhënat personale të fashikullit gjyqësor.
Çështja lind në Hollandë ku Z i përfaqësuar nga X u intervistuan nga një gazetar në kuadër të proçesit gjyqësor të mbajtur në 2018 përpara seksionit të çështjeve gjyqësore administrative të Raad van State (Këshilli i Shtetit). Gjatë bisedës së tyre, X konstatoi se ky gazetar dispononte dokumente nga dosja e çështjes në fjalë, duke përfshirë dokumente që kishte hartuar vetë dhe që përmbanin të dhëna personale, ku në veçanti tregonin emrin, adresën dhe numrin e identifikimit të Z. Gazetari i tregoi se këto dokumente i ishin vënë në dispozicion nga seksioni i çështjeve gjyqësore administrative të Raad van State (Këshilli i Shtetit) si pjesë e të drejtës së aksesit në dosjen e hetimit që ky seksion u jep gazetarëve.
Në fakt kjo gjë i ishte konfirmuar dhe më vonë X-it nga kryetari i seksionit të çështjeve gjyqësore administrative të Raad van State, i cili e kishte sqaruar se ishte pjesë e praktikës së punës së tyre vënia në dispozicion të gazetarëve të dokumentave, që tu mundësonin atyre ndjekjen e seancave. Ndër këto dokumenta që viheshin në dispozicion të gazetarëve përfshiheshin dokumentat e dosjes gjyqësore si: një kopje e kërkesë padisë, një kopje e deklaratës së mbrojtjes, apo një kopje e vendimit të kontestuar të gjykatës. Këto dokumente duhej të shkatërroheshin në fund të ditës.
Nisur nga këto rrethana X dhe Z i kërkuan Autoriteit persoonsgegevens (Autoritetit për mbrojtjen e të Dhënave Personale) të adaptojë ndaj Raad van State masa aplikimi të normave në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale. Sipas pretendimeve të tyre Raad van State kishte shkelur rregulloren 2016/679 (GDPR), me lejimin e gazetarëve të kenë akses në të dhënat e tyre personale nga dokumentat e dosjes gjyqësore.
Në lidhje me këto pretendime, Autoriteit persoonsgegevens (Autoritetit për mbrojtjen e të Dhënave Personale) theksoi se duke iu referuar nenit 55, paragrafi 3 të rregullores 2016/679 (GDPR), nuk ishte kompetente të kontrollonte operacionet e përpunimit të të dhënave personale të kryera nga Raad van State (Këshilli i Shtetit). Më pas, kërkesat e X dhe Z ia përcolli Komisionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për gjyqtarët administrativ, i cili nga ana e tij ia përcolli Presidentit të seksionit të çështjeve gjyqësore administrative të Raad van State (Këshilli i Shtetit). Kryetari i seksionit të çështjeve gjyqësore administrative të Raad van State (Këshilli i Shtetit) analizoi pretendimet e X dhe Z dhe pasi mori mendimin e Komisionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për gjyqtarët administrativ përcaktoi një politikë të re të aksesit në dokumentet e dosjeve gjyqësore, e cila u publikua në faqen e internetit të Raad van State (Këshillit të Shtetit). X dhe Z kundërshtuan, përpara Rechtbank Midden-Nederland (Gjykata e Holandës Qëndrore), vendimin me të cilin Autoriteit persoonsgegevens (Autoritetit për mbrojtjen e të Dhënave Personale) kishte refuzuar kompetencën e saj për të njohur kërkesat e tyre.
Sipas kësaj gjykate, fakti i dhënies një gazetari akses në dokumentet e një dosjeje gjyqësore që përmban të dhëna personale dhe i vënies në dispozicion të tij përkohësisht, përbën “përpunim” të të dhënave personale, në zbatim të nenit 4, pika 2, të rregullores 2016/679 (GDPR), për të cilin, në rastin konkret, X dhe Z nuk do të kishin rënë dakord. Për të përcaktuar nëse Autoriteit persoonsgegevens (Autoriteti për mbrojtjen e të Dhënave Personale) ishte në fakt jokompetent për të vendosur mbi pretendimet e X dhe Z, gjykata shtron pyetjen në lidhje me interpretimin që duhet t’i jepet nenit 55, paragrafi 3 të asaj rregulloreje, e cila parashikon se autoriteti mbikëqyrës nuk është kompetent për të kontrolluar operacionet e përpunimit të kryera nga autoritetet gjyqësore që veprojnë “në ushtrimin e funksioneve të tyre gjyqësore”.
Në këtë kontekst, Rechtbank Midden-Nederland (Gjykata Qëndrore e Holandës) vendosi të pezullojë proçesin dhe t’i drejtojë Gjykatës Evropiane të Drejtësisë pyetjen nëse neni 55, paragrafi 3, i rregullores 2016/679 (GDPR) duhet të interpretohet në kuptimin që mundësia për të vënë në dispozicion të gazetarëve kopje të akteve proçeduriale që përmbajnë të dhëna personale hyn në funksionet gjyqësore të këtyre autoriteteve. Gjithashtu Gjykatës së Drejtësisë iu kërkua të qartësojë nëse elementët e mëposhtëm ishin rilevantë në dhënien e përgjigjes së mësipërme. Këto elementë kishin të bënin me: faktin nëse ushtrimi i kontrollit nga autoriteti mbikëqyrës kombëtar mbi këtë formë të përpunimit të të dhënave ndikon në pavarësinë e proçesit vendimmarrës të gjyqtarit në raste konkrete; me faktin nëse natyra dhe qëllimi i përpunimit të të dhënave është informimi i një gazetari për t’i mundësuar atij të japë një pasqyrë më të mirë të seancës dëgjimore publike në një proçes gjyqësor, duke ndihmuar në mbrojtjen e interesit për publicitetin dhe transparencën e drejtësisë; në faktin nëse ka një bazë ligjore të qartë në lidhje me përpunimin e të dhënave në kontekstin e ligjit kombëtar. Z e vijoi betejën e tij ligjore duke kërkuar ndër të tjera edhe pavlefshmërinë e paragrafit 3 të nenit 55 të rregullores 2016/679 (GDPR), kërkesë e cila nuk u pranua nga gjykata me argumentimin se duke iu referuar pikës 20 të Rregullores 2016/679 (GDPR), legjislatori i BE-së, duke miratuar nenin 55, paragrafi 3 të asaj rregulloreje, nuk ka pasur për qëllim të heqë nga çfarëdolloj kontrolli operacionet e përpunimit të kryera nga autoritetet gjyqësore “në ushtrimin e funksioneve të tyre gjyqësore”, por vetëm ka përjashtuar që kontrolli i operacioneve të tilla t’i besohet një autoriteti të jashtëm.
Duke iu referuar edhe jurisprudencës, kostante mbi këtë temë (vendimi i dt. 6 tetor 2020, Jobcenter Krefeld, C-181/19) për të përcaktuar qëllimin e nocionit të operacioneve të përpunimit të kryera nga autoritetet gjyqësore në ushtrimin e funksioneve të tyre gjyqësore, në përputhje me nenin 55, paragrafi 3 të rregullores 2016/679 (GDPR), duhet të rikujtohet se interpretimi i një dispozite të së drejtës së Bashkimit Evropian, duhet të marrë parasysh edhe kontekstin në të cilin bën pjesë dhe qëllimet e ndjekura nga legjislacioni të cilit i përket. Në këtë drejtim, nga neni 55 i rregullores 2016/679 (GDPR) del qartë se ky nen ka për qëllim përcaktimin e kompetencës në lidhje me kontrollin e përpunimit të të dhënave personale dhe, në veçanti, kufizimin e kompetencës që i është dhënë autoritetit mbikëqyrës kombëtar.
Ndaj me qëllim ruajtjen e pavarësinë së gjyqësorit në përmbushjen e detyrave të tij gjyqësore, duke përfshirë proçesin e vendimmarrjes neni 20 i rregullores 2016/679 (GDPR) specifikon se kontrolli i operacioneve të përpunimit të kryera nga autoritetet gjyqësore “në ushtrimin e funksioneve të tyre gjyqësore” duhet t’i besohet organeve të veçanta brenda sistemit gjyqësor të shtetit anëtar në fjalë dhe jo autoritetit të tij mbikëqyrës.
Në fakt, duke u bazuar në kërkesat e të drejtës së BE-së për respektimin e garancive të pavarësisë dhe paanësisë, ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit presupozon, në përgjithësi, që funksionet gjyqësore të ushtrohen në autonomi të plotë, pa iu nënshtruar ndonjë kufizimi hierarkik ose pa marrë urdhra ose udhëzime nga ndonjë burim, në mënyrë që të mbrohen nga ndërhyrjet ose presionet e jashtme që mund të cënojnë pavarësinë e gjykimit të anëtarëve të saj dhe të ndikojnë në vendimet e tyre.
Për këtë arsye në vendimin e saj të dt. 24 mars 2022, C-245/20, Gjykata deklaroi:
Neni 55, paragrafi 3 i rregullores (BE) 2016/679 (GDPR) të Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian dt. 27 prill 2016 lidhur me mbrojtjen e personave fizik në lidhje me përpunimin e të dhënave personale, si dhe për lëvizjen e lirë të këtyre të dhënave dhe që shfuqizon Direktivën 95/46/KE (Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave), duhet interpretuar në kuptimin se fakti që një gjykatë vendos përkohësisht dokumentet e një proçesi gjyqësor, që përmbajnë të dhëna personale, në dispozicion të gazetarëve, në mënyrë që t’i lejojë ata të raportojnë më plotësisht mbi zhvillimin e një proçedimi të tillë është pjesë e ushtrimit të “funksioneve gjyqësore” të asaj gjykate sipas kuptimit të kësaj dispozite.
Duke iu referuar vendimit të analizuar, sipas mendimit tonë është e drejtë që gjykata të gëzojë funksionin e dhënies së aksesit gazetarëve në dosjet gjyqësore, por gazetarët nga ana e tyre duhet të jenë të përgjegjshëm në përdorimin e informacioneve apo të dhënave personale të grumbulluara dhe t’i përdorin ato në funksion të një raportimi profesional pa dëmtuar hetimin gjyqësor.