- Qëndrimi doktrinor në Shqipëri dhe në Gjermani mbi konceptin e rezervës ligjore (në vend të hyrjes)
Instituti i rezervës ligjore, në vendin tonë ka pësuar disa herë ndryshime, kjo edhe për shkak të periudhave politike në të cilat ka kaluar vendi. Kjo ka bërë që të mos kemi vazhdimësi në mënyrën e trajtimit të tij dhe për rjedhojë edhe jurisprudencë të konsoliduar. Ndryshe ndodh në sistemin gjerman, ku instrumentat ligjorë, e sidomos aktet e kodifikuara kanë pasur qëndrueshmëri në kohë.
Megjithatë, në vendin tonë doktrina juridike, ka luajtur një rol të rëndësishëm. Sipas Kodit Civil të vitit 1929, rezerva ligjore, përcaktohej, si e drejtë e të paslindurve legjitimë, të të paralindurve dhe të vëllezërve dhe motrave të de cuius-it, që të përfitonin pjesët e tyre, në pasurinë trashëgimore, pjesë, të cilat, de cuius-i, nuk mund t’i dispononte me testament dhe as t’u ngarkonte atyre ndonjë barrë apo kusht.[[1]] Subjekte përfitues të rezervës ligjore ishin fëmijët legjitimë të de cuius-it, të paslindurit e tij, të paralindurit si dhe vëllezërit e motrat e trashëgimlënësit. Rregullimi i saj kryhej në varësi të llojit të trashëgimtarit dhe numrit të trashëgimtarëve subjekte përfitues.[[2]] Një institut garantist brenda konceptit të rezervës ligjore, ishte edhe “kuota e padisponueshme”. Sipas këtij parashikimi, testatori, nuk mund të cënonte jo vetëm me testament, por as me akte të tjera të natyrës së dhurimit apo veprime të tjera juridiko civile, pjesën e trashëgimtarëve që garantoheshin nga rezerva ligjore.[[3]] Referuar legjislacionit të kohës, “kuota e padisponueshme”, përbën edhe kufizimin e vullnetit të testatorit, pjesë të trashëgimisë e cila dilte nga vullneti i tij për të disponuar.
Koncepti i garancisë për një kategori të caktuar subjektesh, nuk ka ndryshuar as sot, megjithatë duhet të pranojmë që kemi një ndikim të fortë nga parashikimet e Kodit Civil të vitit 1982. Sipas Kodit Civil, rezerva ligjore është parashikuar si detyrim i trashëgimlënësit mbi bazën e të cilit ai, me anë të testamentit nuk mund të përjashtojë nga trashëgimia fëmijët e tij të mitur, të paslindurit e tjerë të mitur, në rastet kur ata trashëgojnë me zëvendësim, personat e paaftë për punë.[[4]] Garancia që i ofrohet “trashëgimtarit të paaftë për punë”, i përket pikërisht ndikimit të kodit të vitit 1982.
Referuar të drejtës gjermane, ajo ka më shumë ngjashmëri me parashikimet e Kodit Civil të 1929. Instituti i rezervës ligjore (Pflichtteil) konsiderohet si një të drejtë e trashëgimtarëve, të cilët nuk mund të privohen nga pasuria e trashëgimtarit. Rezerva ligjore i referohet një pjesë të pasurisë së trashëgimtarit që ai nuk mund ta disponojë me vullnetin e tij, por që duhet të mbetet për trashëgimtarët sipas parashikimeve që ka bërë vetë ligji. Sipas parashikimeve të Kodit Civil Gjerman (nenet 1922 – 1936), përfitojnë nga rezerva ligjore fëmijët si pasardhës të trashëgimtarit, bashkëshorti/ja dhe nëse nuk ka asnjë trashëgimtar nga të mësipërmit, do të thirren prindërit.[[5]] Sipas ligjit gjerman, fillimisht duhet të përcaktohen rrethi i trashëgimtarëve dhe atyre që përfitojnë nga rezerva, pastaj bëhet evidentimi i pasurisë së trashëgueshme duke i zbritur pasurinë e cila do ti mbetet rrethit të trashëgimtarëve që përfitojnë nga rezerva. Kjo pasuri e trashëgimlënësit, nuk hyn në pasurinë e disponueshme për trashëgim.[[6]] Ligji gjerman, ashtu si ligji shqiptar i 1929, ka parashikim të shprehur mbi konceptin e “kuotës së padisponueshme/unpfändbaren Teil“, e cila nuk mund te jete objekt i testamentit apo donacioneve/dhurimeve, dhe eshte e destinuar te mbetet ne duart e trashegimtareve që përfitojnë nga rezerva ligjore. Kjo pjesë e pasurisë trashëgimore, përcaktohet nga rrethi i trashëgimtarëve, numri i tyre dhe madhësia e pasurisë së lënë në trashëgim.[[7]] Kjo lloj kuote, brenda pasurisë trashëgimore, është një nga rastet e kufizimit gati absolut të vullnetit të testatorit për të disponuar.
Si konkluzion paraprak mbi këtë trajtesë të shkurtër teorike, mund të shprehemi se instituti i rezervës ligjore sipas legjislacionit gjerman është më garantist lidhur me pjesët takuese të subjekteve që do të përfitojnë nga rezerva ligjore. Instrumentat e kuotës së padisponueshme apo edhe përcaktimi i pjesës së pasurisë sipas numrit të subjekteve përfitues, kufizon vullnetin e testatorit për të disponuar lirisht të gjithë pasurinë e tij. Në këtë kuptim, siguria juridike për garantimin e rezervës ligjore, në juridiksionin gjerman, duket më e lartë dhe kufizimi i vullnetit të testatorit, duket më qartësisht i shprehur.
Nga ana tjetër, mes legjislacioneve tona, ka një dallim të rëndësishëm në rrethin e subjekteve që përfitojnë nga rezerva ligjore dhe kufizojnë vullnetin e testatorit në disponim. Në legjislacionin tonë, kufizimi bëhet për fëmijët e mitur dhe një subjekt specifik si “personi i paaftë për punë”, ndërkohë sipas ligjit gjerman, kufizimi prek vetëm rrethin e ngushtë familjar. Sipas legjislacionit gjerman, marrin mbrojtje të posaçme raportet familjare, ndërkohë sipas legjislacionit tonë, njihen garanci edhe për subjekte që nuk përfishen domosdoshmërisht në marrëdhëniet familjare.
- Qëndrim i jurisprudencës së Gjykatës së Lartë mbi rezervën ligjore[[8]]
Janë të pakta konfliktet gjyqësore për çështje që lidhen me rezervën ligjore. Megjithatë së fundi, Gjykata e Lartë ka mbajtur disa qëndrime të cilat mundohen të përcaktojnë rrethin e subjekteve dhe të drejtat që burojnë nga rezerva ligjore. Një rast interesant i paraqitur për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, kishte të bënte me përjashtimin nga testatori të njërit prej fëmijëve të saj nga trashëgimia. Ndërkohë që fëmijëve të tij të mitur, u kishte lënë shumën 30,000 lekë si trashëgim. Gjykata e Lartë me vendimin nr. 523, datë 07.12.2022 në shqyrtimin e çështjes, merr në analizë konceptin e rezervës ligjore për trashëgimtarët e mitur që thirren me zëvendësim edhe kur trashëgimtari në vijë të drejtë është përjashtuar nga trashëgimia.
Duke interpretuar nenin 361/2 të Kodit Civil, ajo arsyetoi se rrethi i personave që mund të thirren në trashëgim me zëvendësim, pa kufizim janë: i. fëmijët/të paslindurit e fëmijëve të paravdekur të trashëgimlënësit; ii. fëmijët/të paslindurit e trashëgimtarit të padenjë për të trashëguar; iii. fëmijët/të paslindurit e trashëgimtarit që ka hequr dorë nga trashëgimia dhe iv. fëmijët e mitur/të paslindurit e trashëgimtarit ligjor të përjashtuar nga trashëgimia. Sipas Gjykatës së Lartë, për këtë kategori subjektesh është e pamundur përjashtimi nga trashëgimia, për shkak të përfitimit nga rezerva ligjore në cilësinë e të miturit. Sipas qëndrimit të Gjykatës së Lartë, vullneti i testatorit për të disponuar pasurinë e tij trashëgimore, do të kufizohet nëse kemi në rrethin e trashëgimtarëve fëmijë të mitur, qofshin këta edhe të thirur me zëvendësim, në vendin e dikujt të përjashtuar nga trashëgimia. Duke bërë një interpretim qëllimor të nenit 379 të Kodit Civil, është shprehur se synimi i rezervës ligjore në dobi të fëmijëve është mbrojtja e të miturve, qoftë kur ata janë fëmijët e mitur të trashëgimlënësit, qoftë kur ata janë fëmijë të mitur të fëmijëve të tij. Sanksioni që vendos Kodi Civil në këtë rast, është pavlefshmëria e veprimit, për pjesën që disponon mbi kuotën që duhet të përfitonte fëmija i mitur.
Në një çështje tjetër, mjaft interesante Gjykata e Lartë me vendimin nr. 481, datë 16.11.2022 ka interpretuar të drejtën e personit të paaftë për punë për të siguruar pjesën e tij në trashëgimi. Gjykata e Lartë është shprehur se, trashëgimtar i paaftë për punë dhe që gëzon mbrojtje nga rezerva ligjore sipas nenit 371 të Kodit Civil do të konsiderohet personi që: i. bën pjesë në rradhën e trashëgimtarëve që thirren në trashëgim dhe që nuk janë bërë të padenjë për të trashëguar, dhe ii. ka mbushur moshën e kërkuar (60 vjeç për burrat dhe 55 vjeç për gratë) ose është invalid, pavarësisht faktit nëse ka bashkëjetuar apo jo me trashëgimlënësin. Këto kushte duhet të përmbushen në mënyrë kumulative.
Në të dyja vendimet Gjykata e Lartë përveç përcaktimit të rrethit të subjekteve që përfitojnë nga rezerva ligjore, është shprehur edhe lidhur me pasojat që do të ketë testamenti në rast të disponimit mbi pjesën e garantuar për rezervatarët. Gjykata e Lartë ka mbajtur qëndrimin se disponimi mbi pjesën e garantuar nga rezerva ligjore, çon në pavlefshmërinë e pjesshme të testamentit si veprim juridik i njëanshëm, pasi pjesa e disponimeve me testament që do i takonte rezervatarit ligjor, në qoftë se do të zbatohej trashëgima ligjore.
Duke pasur parasysh edhe interpretimet që ka bërë mbi subjektet që përfitojnë nga rezerva ligjore, arijmë në përfundimin se, sipas legjislacionit shqiptar, nuk ka një kufizim paraprak të vullnetit të testatorit për disponimin me testament. Megjithatë, në rastet kur testamenti disponon apo harron të disponojë mbi subjekte që mbrohen në mënyrë të posaçme nga ligji, ajo pjesë e testamentit apo e gjitha, mund të goditet për pavlefshmëri. Vestet e kësaj natyre, janë të karakterit absolut dhe çdo subjekt që pretendon se është prekur në të drejtën e tij për të përfituar nga trashëgimia, mund të kërkojë në rrugë gjyqësore, “korrektimin” e vullnetit të testatorit. Përfundimisht mund të shprehemi se sipas legjislacionit shqiptar, vullneti i testatorit nuk është absolut për të disponuar pasurinë e tij trashëgimore, por ai kufizohet nga parashikimet e ligjit, për një kategori të caktuar subjektesh.
- Qëndrim i jurisprudencës gjermane mbi rezervën ligjore
Për shkak të qëndrueshmërisë në kohë, jurisprudenca gjermane është me e plotë mbi çështje të rezervës ligjore dhe garancive për trashëgimtarët dhe pasojat në rast të shkeljes së parashikimeve të ligjit. Në vijim, do të trajtojmë disa çështje që lidhen me garancitë që ofron rezerva ligjore sipas të drejtës gjermane dhe interpretimet që ka bërë jurisprudenca.
Një çështje e ngjashme me rastin nga praktika jonë, vjen nga jurisprudenca gjermane, ku Gjykata e Lartë Federale e Gjermanisë, mori në shqyrtim çështjen nëse trashëgimtari, mund të përjashtojë nga testamenti shprehimisht mbesën e saj të mitur. Në këtë rast, gjykata u shpreh se vullneti i testatorit është i kufizuar nga parashikimet e rezervës ligjore dhe ato nuk mund të thyhen nga disponimet e bëra me stestament. Në arsyetimin e vendimit, gjykata shprehet se rezerva ligjore, përcaktohet nga ligji për të siguruar se pas vdekjes së trashëgimlënësit, nuk do të ketë rrezik që persona të cilët duhet të mbrohen për shkak të cilësive të tyre, të kenë nevojë për ndihmën sociale. Në këtë kuptim, ajo ka për qëllim të ndajë trashëgiminë në mënyrë të drejtë midis të gjithë subjekteve që preken nga trashëgimia.[[9]] Në këtë vendim, jurisprudenca gjermane e ka përkufizuar institutin e rezervës ligjore si një dimension social, e për shkak të të cilit, duhet kufizuar vullneti i testatorit.
Në një rast tjetër, Gjykata e Lartë Federale e ka lidhur institutin e rezervës ligjore me elemnt të interesit publik. Në një çështje ku trashëgimtari kishte disponuar me testament pasurinë e tij në favor të disa organizatave bamirëse, duke përjashtuar në heshtje fëmijët e tij, gjykata e ka vlerësuar të pavlefshëm testamentin. Në arsyetimin e vendimit gjykata shprehet se rezerva ligjore, si një formë e mbrojtjes së të drejtës së trashegimtarëve, është një element i parashikuar nga ligji. Në këtë kuptim, rezerva ligjore mund të konsiderohet se tërheq një interes publik. Ndërkohë, vullneti i testatorit ndjek një interes privat, i cili nuk duhet të anashkalohet, megjithatë ai nuk mund të bjerë në kundërshtim me parashikimet e rendit publik. Kështu, çdo disponim në kundërshtim me parashikimet e rezervës ligjore, do të konsiderohet i pavlefshëm.[[10]]
Pavarësisht garancive që i mbivendosen institutit të rezervës ligjore, jurisprudenca gjermane është shprehur se në çdo rast, kur diponohet përtej parashikimeve të ligjit, testamenti do të goditet për pavlefshmëri. Ky është parim që vlen për të gjitha llojet e testamentit, duke përfshirë edhe dhurimet përpara vdekjes, si forma të fshehura të trashëgimisë (Todesfällezuëendung), të cilat për shkak të garancive që duhet ti ofrohen trashëgimtarëve, do të përfshiehn tek ligji për trashëgiminë.
Përmbajtja e dispozitave të testamentit duhet të jetë në përputhje me dispozitat e ligjit, përfshirë edhe dispozitat për rezervën ligjore. Nëse testamenti ndërtohet në mënyrë që të shkelë rezervën ligjore, atëherë ai është i pavlefshëm në masën e shkeljes së kësaj rezerve. Gjatë verifikimit të pavlefshmërisë së testamentit, gjykata do të vlerësojë nëse dispozitat e testamentit janë në përputhje me dispozitat e ligjit, përfshirë edhe dispozitat për rezervën ligjore. Nëse gjykata vlerëson se testamenti ka shkelur rezervën ligjore, atëherë do ta shpallë atë si të pavlefshëm. Kufizimi i vullnetit të testatorit nga rezerva ligjore është një parim themelor i sistemit të trashegimisë në ligjin gjerman. Ky parim synon të sigurojë se trashëgimia do të ndahet në një mënyrë që është në përputhje me dëshirat e testatorit, por që gjithashtu mbrojnë interesat e trashëgimtarëve të përcaktuar nga ligji. Rezerva ligjore është një mjet për të siguruar këtë mbrojtje dhe kufizon të drejtën e testatorit për të disponuar plotësisht mbi pronën e tij.[[11]]
- Përfundime
- instituti i rezervës ligjore, gjen parashikim në legjislacionin shqiptar dhe atë gjerman;
- në legjislacionin gjerman vullneti i testatorit është i kufizuar shprehimisht mbi pjesë të caktuara të trashëgimisë në varësi të numrit të trashëgimtarëve që përfitojnë nga rezerva ligjore, ndërsa në legjislacionin shqiptar edhe pse nuk ka kufizime të tilla të përcaktuara në kuota të padisponueshme, ekzistojnë garancitë që e bëjnë të paprekshme pjesën e rezervatarit;
- jurisprudenca gjermane, në përpjekje për të dhënë kuptimin e normës, ka interpretuar institutin e rezervës ligjore dhe kufizimin e vullnetit të testatorit, duke e lidhur me aspekte të interesit publik apo ndjekjen e qëllimeve sociale. Ndërkohë jurisprudenca shqiptare, i ka qëndruar strikt linjës së legalitetit duke u shprehur për pavlefshmërinë e veprimit që cënon rezervën ligjore. Në përfundim, të dyja legjislacionet e veshin me pavlefshmëri testamentin e bërë në kapërcim të parashikimeve të ligjit mbi rezervën ligjore;
- të dyja legjislacionet, lejojnë kontrollin post factum të vullnetit të testatorit dhe në rast cënimi të rezervës ligjore, lejojnë “korrektimin gjyqësisht të vullnetit”;
BIBLIOGRAFI
- PUBLICATIONS
- Ardian Nuni, Luan Hasneziri, “E Drejta Civile (Trashëgimia)”, Tiranë 2010
- Alba Ngresi; Elena Tafa; Emiljano Spahiu; Noel Veizi; Jonida Allushi, “Kategoria e subjekteve përfitues të zbatimit të Rezervës Ligjore, si trashëgimtarë të paaftë për punë”, Magjistrati, Shkolla e Magjistraturës 2022;
- Reinhard Zimmermann, “The Protection of Heirs Under German Law”, (2008);
- Zöllner, H. (2019). “Pfändungsfreigrenzen”. In Festschrift für Hanns Prütting C.H. Beck;
- Legjislacion
- “German Civil Code” (Bürgerliches Gesetzbuch ose BGB);
- Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë;
- Vendime Gjyqësore
- Vendimi nr. 523, datë 07.12.2022 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë;
- Vendimi nr. 481, datë 16.11.2022 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë;
- Vendimi i Gjykatës së Lartë Federale Gjermane 7 shkurt 1989 (BGHZ 106, 28);
- Vendimi i Gjykatës së Lartë Federale Gjermane BGHZ 154, 331 (2003);
- Vendimi i Gjykatës së Lartë Federale të Gjermanisë BGH NJË 1997, 1364.
- Burime në internet
- www.gjykataelarte.gov.al
- www.bundesgerichtshof.de;
- papers.ssrn.com/sol3/papers.cfm?abstract_id=3499075
- www.gesetze-im-internet.de/englisch_bgb/englisch_bgb.html#p0814;
[[1]] Shiko Neni 536 i Kodit Civil të vitit 1929 përcaktonte: “Rezerva ligjore asht pjesë trashëgimi dhe mbi të fëmijët, të paslindurit, të parëlindunit, vëllaznit dhe motrat kanë të drejtë zotnimi të plotë, dhe testatori nuk mundet m’i vue kësaj pjese as ndonjë barre, ose konditë“.
[[2]] Shiko Alba Ngresi; Elena Tafa; Emiljano Spahiu; Noel Veizi; Jonida Allushi, “Kategoria e subjekteve përfitues të zbatimit të Rezervës Ligjore, si trashëgimtarë të paaftë për punë”, Fq. 13, Shkolla e Magjistraturës 2022.
[[3]] Shiko nenet 532 – 533 të Kodit Civil të vitit 1929.
[[4]] Shiko Ardian Nuni, Luan Hasneziri, “E Drejta Civile (Trashëgimia)”, Tiranë 2010, Faqe 126.
[[5]] Shiko “German Civil Code” (Bürgerliches Gesetzbuch ose BGB).
[[6]] Shiko Reinhard Zimmermann, “The Protection of Heirs Under German Laë”, (2008), https://papers.ssrn.com/sol3/papers.cfm?abstract_id=3499075
[[7]] Zöllner, H. (2019). “Pfändungsfreigrenzen”. In Festschrift für Hanns Prütting (pp. 1181-1199). C.H. Beck.
[[8]] Analizë sipas vendimit nr. 523, datë 07.12.2022 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë dhe vendimit nr. 481, datë 16.11.2022 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë.
[[9]] Shiko vendimin e Gjykatës së Lartë Federale Gjermane 7 shkurt 1989 (BGHZ 106, 28).
[[10]] Shiko vendimin e Gjykatës së Lartë Federale Gjermane BGHZ 154, 331 (2003).
[[11]] Shiko vendimin e Gjykatës së Lartë Federale të Gjermanisë BGH NJË 1997, 1364.