Vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë C-682/18 – YouTube e Cyando në lidhje me përgjegjësinë e platformave online për përdorimin e paligjshëm nga ana e përdoruesve të përmbajtjeve të mbrojtura nga e drejta e autorit, është një triumf për gjigantët e Webit, në momentin që e shumë diskutuara Direktivë e Be-së (2019/790) siç duket do të ndryshojë përgjithmonë pozicionin e tyre.
Në fakt gjithçka nisi nga vendimi i një gjykate gjermane për të paraqitur dy çështje në gjykatën Europiane të Drejtësisë. E para kishte të bënte me padinë e ngritur nga producenti muzikor gjerman Frank Peterson kundër Google dhe Youtube për ngarkimin në 2008 nga ana e përdoruesve të Youtube të disa pjesëve muzikore për të cilat gëzonte të drejtat e autorit. Ndërsa tjetra kishte të bënte me padinë e botuesit Elsevier kundër ofruesit të internetit Cyando për shpërndarjen në platformë të disa manualeve të anatomisë dhe mjekësisë në vitin 2013 pa konsensusin e tij. Në 22 qershor të vitit të kaluar Gjykata Europiane e Drejtësisë për sa i përket çështjes C-682/18 – YouTube e Cyando në një nga përfundimet e saj përcaktoi se Neni 3(1) i Direktivës (2001/29/BE) të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të 22 majit 2001 mbi harmonizimin e disa aspekteve të së drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura me shoqërinë e informacionit, duhet të interpretohet në kuptimin që operatori i një platforme digjitale, në të cilën përdoruesit mund të vënë në mënyrë të paligjshme përmbajtjen e mbrojtur të disponueshme për publikun, nuk bën një “komunikim me publikun” të asaj përmbajtjeje, përveç nëse ai kontribuon, përtej bërjes së disponueshme të asaj platforme, në dhënien akses publikut në një përmbajtje të tillë në shkelje të të drejtës së autorit. Ky është rasti, inter alia, kur ai operator ka njohuri specifike se përmbajtja e mbrojtur është e disponueshme në mënyrë të paligjshme në platformën e tij dhe nuk merr masa për fshirjen e shpejtë të saj ose bllokimin e aksesit në të, ose kur ai operator, pavarësisht nga fakti që e di ose duhet ta dijë, që përdoruesit e platformës së saj po bëjnë të disponueshme për publikun një përmbajtje të mbrojtur në mënyrë të paligjshme nëpërmjet platformës së saj, nuk merr masat e duhura teknologjike, në mënyrë që të kundërshtojë në mënyrë efektive shkeljet e të drejtave të autorit në atë platformë, ose kur ai operator merr pjesë në zgjedhjen e përmbajtjes së mbrojtur të komunikuar në mënyrë të paligjshme për publikun, ofron mjete në platformën e tij të destinuara posaçërisht për shpërndarjen e paligjshme të një përmbajtjeje të tillë ose me vetëdije promovon një shpëndarje të tillë, e cila mund të vërtetohet nga fakti se ai operator ka miratuar një model financiar që inkurajon përdoruesit e platformës së tij për t’i komunikuar publikut ilegalisht përmbajtje të mbrojtura nëpërmjet asaj platforme.
Po si do të ndryshojnë gjërat me Direktivën e re të Be-së (2019/790) mbi Copyright?
Aktualisht po përfundon implemetimi i Direktivës (2019/790) mbi Copyright në tregun e vetëm digjital. Një nga nenet më të diskutuar të kësaj direktive është edhe neni 17 që përcakton edhe përdorimin e përmbajtjeve të mbrojtura nga copyright në platformat online. Çështjet e mësipërme i përkasin një periudhe para hyrjes në fuqi të direktivës ndaj direktiva nuk mund të aplikohej.
Neni 17 i Direktivës së Bashkimit Evropian për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta në Tregun Unik Digjital (2019/790) përcakton disa detyrime shumë rigoroze për platformat online për të parandaluar ngarkimin e veprave që shkelin të drejtën e autorit. Sipas kësaj dispozite, ndërmjetësit
duhet të marrin autorizim nga mbajtësit e të drejtave për vënien në dispozicion të këtyre përmbajtjeve publikut të gjerë, ose duhet të përdorin mekanizma për filtrimin e përmbajtjeve me shkelje.
Për një pjesë të doktrinës edhe pse mekanizmat e filtrimit do të mbronin të drejtat e autorëve të cilët shohin shpesh të publikuara veprat e tyre online pa asnjë autorizim, përdorimi i teknologjive të tilla, mund të ketë efekte negative në të drejtat e njeriut. Sipas Këshillit, Komisionit të BE-së dhe autorëve që publikojnë në internet, reformimi i legjislacionit mbi të drejtën e autorit do të garantojë më shumë të drejta dhe një shpërblim më të drejtë për botuesit, artistët, autorët dhe gazetarët në platformat kryesore në internet si Google, Facebook ose Youtube.
Ndërsa për mbrojtësit e lirisë absolute të internetit dhe gjigantët e Web-it, Direktiva (2019/790) do të kufizojë lirinë e shprehjes. Në rradhë të parë, nëpërmjet përdorimit të mekanizmave filtrues, që do të identifikonin përdoruesit mund të kemi shkelje të drejtës së mbrojtjes së të dhënave personale dhe të respektimit të jetës private dhe familjare. Gjithashtu mund të kemi një kushtëzim të së drejtës së informimit dhe të shprehjes sepse mekanizmat filtrues nuk janë të pagabueshëm dhe mund të ndodhë që të bllokohen përmbajtje të publikuara në mënyrë të ligjshme.
Nëse do t’i referoheshim Direktivës së mëparshme të Be-së (2001/29), të njohur si Direktiva Infosoc apo Direktivës (2000/31) të njohur si Direktiva E-Commerce, arrijmë në përfundimin, që këto Direktiva nuk arritën të prezantojnë modele të mjaftueshme harmonizimi për disa aspekte të së drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta në kontekstin e shoqërisë së informacionit digjital. Për këtë arsye një Direktivë e re ishte e nevojshme për të zgjidhur problemet e interpretimit për Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në lidhje me të gjitha situatat e veçanta të paparashikuara nga ligjvënësi i BE-së.
Në praktikën e mëparshme gjyqësore C-610/15 Stichting Brein kundër Ziggo në lidhje me “komunikimin me publikun” në kontekstin e platformave digjitale, GJED-ja ishte kufizuar kryesisht në theksimin e rëndësisë së një niveli të lartë mbrojtjeje për autorët. Në vendimin aktual, ashtu si në rastin e C-160/15 të GS Media, Gjykata vë në plan të parë të drejtat themelore të njeriut.
Duke iu referuar analizës së mësipërme, sipas mendimit tonë kjo Direktivë do të garantojë një shpërblim më të drejtë për autorët, por mekanizmat filtrues që parashikohen të implementohen në favor të zbatimit të saj mund të prekin të drejtat e njeriut. Për këtë arsye rekomandohet që të gjenden mekanizma të tillë që të mos cënojnë privatësinë apo të dhënat personale të përdoruesve të platformave digjitale si dhe të drejtën e shprehjes apo të informimit.