Detyrimi i vaksinimit kundër Covid-19 në dritën e jurisprudencës së GJEDNJ-së.

Prej 1 Shkurtit të këtij viti Austria është vendi i parë në Europë që ka futur detyrimin e vaksinimit kundër Covid-19 për të gjithë qytetarët 14 vjeç e lart. Duke filluar nga 15 marsi do të aplikohen gjoba deri në 600 euro për të pavaksinuarit. Në pjesën tjetër të Europës po debatohet gjerësisht në lidhje me futjen apo jo të vaksinimit të detyrueshëm kundër Covid-19, ndërkohë që në botë në Ekuador vaksinimi është i detyrueshëm për të gjithë që prej dhjetorit të vitit të kaluar.

Në lidhje me këtë temë GJEDNJ nuk ka krijuar ende nje jurisprudencë të konsoliduar, edhe pse është shprehur në disa raste si për shembull në rrëzimin e kërkesës së pezullimit të detyrimit të vaksinimit kundër Covid-19 të 672 zjarrfiksëve francezë, duke argumentuar se detyrimi i vaksinimit nuk përbën  rrezik për një dëm serioz dhe të pariparueshëm.

Me vendimin e 8 prillit 2021 Vavřička e të tjerë kundër Republikës Çeke, GJEDNJ diktoi disa orientime dhe parime për shtetet në lidhje me detyrimin e vaksinimit kundër Covid-19, duke krijuar një precedent të rëndësishëm në ditët e sotme në debatin në lidhje me vaksinimin e detyrueshëm kundër Covid-19.

Çështja në fjalë ka të bëjë me ankimin e prindërve të disa të miturve me kombësi çeke kundër ligjeve të shtetit çek, që ndalojnë fëmijët e pavaksinuar të regjistrohen në kopësht dhe parashikojnë gjoba deri në 10,000 korona çeke në rast të mospërmbushjes së detyrimit të vaksinimit për të parandaluar sëmundjet infektive.

Për gjyqtarët e Strasburgut detyrimi i vaksinimit kundër 9 sëmundjeve infektive pediatrike i parashikuar nga legjislacioni çek nuk e shkel nenin 8 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Nëse do i referoheshim paragrafit të 2 të nenit 8, E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare:“Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve”.

Sipas motivimeve të GJEDNJ, liria e vetëvendosjes dhe ndërhyrja në jetën private të individit mund të kufizohet nga një rregull që vendos vaksinimin e detyrueshëm kur ekzistojnë disa kushte si parashikimi i ligjit, nevoja për këtë zgjedhje në një shoqëri demokratike dhe objektivi për mbrojtjen e shëndetit dhe të drejtave e të lirisë së të tjerëve,

Për këtë arsye, në bazë të parimeve të diktuara nga GJEDNJ, nuk përjashtohet mundësia e shteteve për të vendosur një detyrim vaksinimi kundër Covid-19, me kusht që të respektohet kriteri i proporcionalitetit mes masave të vendosura me qëllimin e ndjekur.

Gjithashtu, përdorimi i vaksinave mund të shkaktojë dëm në shëndetin e individëve, ndaj është i rëndësishëm edhe parashikimi në lidhje me dëmet e shkaktuara nga vaksinat.

Në përfundim të gjykimit në fjalë, Gjykata u shpreh:

Nuk mund të konsiderohet jo proporcionale për një shtet që të kërkojë nga ata për të cilët vaksinimi paraqet një rrezik të largët për shëndetin, të pranojnë këtë masë mbrojtëse të praktikuar në mënyrë universale, si një çështje e detyrës ligjore dhe në emër të solidaritetit social, për hir të numrit të vogël të fëmijëve vulnerabël që nuk mund të përfitojnë nga vaksinimi. Sipas mendimit të Gjykatës, ligjvënësi çek ka qenë i hapur në mënyrë të vlefshme dhe legjitime për të bërë këtë zgjedhje, e cila është plotësisht në përputhje me arsyetimin e mbrojtjes së shëndetit të popullatës. Disponueshmëria teorike e mjeteve më pak ndërhyrëse për të arritur këtë qëllim, siç sugjerohet nga aplikantët, nuk e ul vlerën e këtij konstatimi.