Cënimi i imazhit dhe publikimi i paautorizuar i fotografive të personazheve VIP sipas jurisprudencës italiane.

Një nga temat më të diskutura aktualisht në fushën e të drejtës, kur media ka arritur të thyejë çdo barrierë për të publikuar lajmin është ajo mbi cënimin e imazhit. Gjithmonë e më shumë,  personazhe të njohur kudo në botë ndjehen të cënuar në privatësinë e tyre duke u bërë shpesh herë subjekte fotosh private që qarkullojnë nëpër revista apo edhe online pa autorizimin e tyre. Ndaj nuk janë të pakta rastet kur gjykatat gjenden para përgjegjësisë për të gjykuar në lidhje me dëmin e shkaktuar në të tilla raste, duke krijuar edhe një jurisprudencë të vlefshme për çështje që nuk do të mungojnë asnjëherë edhe në të ardhmen, duke parë interesin e njerëzve ndaj jetës private të personazheve VIP, që shtyn mediat të kënaqin kuriozitetin e tyre, duke siguruar për vete shitje dhe përfitime ekonomike.

 

Dëmtimi i imazhit është ai që dëmton reputacionin dhe identitetin personal të një individi, ose kompleksin  e atributeve që identifikojnë një subjekt të caktuar në kontekstin social ose profesional.

Si rrjedhim sa herë që publikohet imazhi i një personi pa pëlqimin e tij, veçanërisht një personi të famshëm të fushës së spektaklit, duhet të kemi një kompensim të dëmeve pasurore dhe jopasurore. Pasurore sepse një publikim i paautorizuar sjell dëme me karakter pasuror duke qenë se fama e këtyre personazheve vjen nga një veprimtari me të cilën lidhet zakoni i shfrytëzimit me pagesë të figurës.

Ky ishte edhe pretendimi i avokatëve të George Clooney në rekusin e paraqitur pranë Kasacionit italian, “nëse një aktor fitues i Oskarit, i njohur dhe i dashur në mbarë botën, imazhi i të cilit vlerësohet në miliona, nuk ka shitur kurrë imazhe personale, nëse i publikohen, edhe pse  kundër pëlqimit të tij, duhet t’i atribuohet një vlerë të paktën që korrespondon me miliona euro për vlerën e tyre”.

Për një analizë më të detajuar le ti referohemi vendimit të Gjykatës së Kasacionit italian n. 17217/21.

Çështja në fjalë ka të bëjë me padinë e ngritur pranë Gjykatës së Milanos nga aktori i famshëm George Clooney ndaj Grupit Botues Mondadori dhe Alfonso Signorinit në cilësinë e drejtorit të Revistës “Chi” me objekt konstatimin e cënimit të imazhit të aktorit të fotografuar në gusht të vitit 2009 në qëndrime intime me partneren e asokohe Elisabetta Canalis në parkun e vilës së tij në Komo.

 

Për shkeljet e konstatuara paditësi  George Clooney kërkoi detyrimin e të paditurve për pagimin e një dëmshpërblimi prej 4 milion euro dhe urdhërimin për publikimin e vendimit në revistën “Chi”.

 

Gjykata e shkallës së parë Milano me vendimin nr. 14065/2013, pasi konstatoi paligjshmërinë e publikimit të fotove të aktorit dënoi Grupin botues dhe drejtorin e revistës me dëmshpërblimin prej 300.000 eurosh dhe publikimin e vendimit në revistën periodike brenda tridhjetë ditëve nga njoftimi i vendimit me karaktere me dyfishin e madhësisë së atyre që përdoren zakonisht për artikujt, duke pranuar kështu kërkesën e Clooneyt.

 

Ndërsa Gjykata e Apelit të Milanos me vendimin nr. 671/2016 e pranoi pjesërisht vendimin e Gjykatës së shkallës së parë duke e ulur vlerën e dëmshpërblimit kundrejt të paditurve në shumën 40.000 Euro.

 

Nga njëra anë, në lidhje me ankimin e aktorit për imazhet që e portretizonin me partneren e tij, Gjykata u shpreh se kishte shkelje të së drejtës së privatësisë, pra të nenit 8 të KEDNJ, nenit 14 të Kushtetutës italiane, nenit 615 bis të kodit penal Italian. Nga ana tjetër, Gjykata e Apelit e ka cilësuar si të tepruar përcaktimin sasior të dëmit të kryer nga gjykata, duke përfshirë edhe dëmin pasuror të paprovuar nga paditësi. Sipas Gjykatës dëmi pasuror nuk mund të konfigurohet në momentin, që aktori e kishte përjashtuar shprehimisht pëlqimin për publikimin e imazheve të jetës së tij private, duke mohuar në këtë mënyrë çdo mundësi të shfrytëzimit ekonomik të këtyre imazheve.

 

Nga ana tjetër, sipas Gjykatës edhe dëmshpërblimi i dëmit jopasuror, duhej konsideruar i tepërt, duke marrë parasysh faktin se ky dëm kishte zgjatur vetëm disa ditë, dhe shkalla e ndërhyrjes nuk kishte qenë veçanërisht e lartë, duke qenë se kemi të bëjmë me pamje fotografike të aktorit teksa ai endej në parkun e vilës.

 

Në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit Milano ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Kasacionit të Italisë paditësi George Clooney kundër të paditurve Grupit Botues Mondadori dhe Alfonso Signorinit, duke u bazuar në rekurs në 2 motive. Motivi i parë kishte të bënte me pretendimin se duke iu referuar edhe parimeve të shprehura nga kjo Gjykatë me supozimin se dëmi material, duhet të konsiderohet i nënkuptuar në vetë sjelljen dhe për këtë arsye nuk ka nevojë të provohet sa herë që rezulton nga publikimi i paligjshëm i imazhit të të tjerëve, ndaj gjyqtari i apelit e kishte mohuar gabimisht dëmin e pretenduar pasuror që rezulton nga publikimi i paligjshëm i imazheve të aktorit me ish partneren me supozimin se nuk kishte prova. Gjithashtu heqja dorë nga publikimi i fotografive nuk sjell përjashtimin e shfrytëzimit ekonomik, duke qenë se ky vullnet, mbetet i kthyeshëm, dhe për këtë arsye “i ndjeshëm ndaj rimendimit me kalimin e kohës”.

 

Në përfundim Gjykata e Kasacionit të Italisë me vendimin nr. 17217/21 ka pranuar ankesat e paditësit George Clooney, duke iu referuar edhe disa nga vendimeve të saj më të fundit, dhe duke përcaktuar se nga dëshira e shprehur për të ndaluar publikimin e fotove që lidhen me jetën private të një personi shumë të njohur nuk mund të rezultojë automatikisht heqja dorë nga e drejta e imazhit.

Zgjedhja e tyre për të mos publikuar fotografi të caktuara ose për të shfrytëzuar ekonomikisht të dhënat e tyre personale nuk u jep palëve të treta të drejtën për ta përdorur në mënyrë të paligjshme këtë të drejtë, e cila i mbetet pronarit të saj legjitim.

Ndaj publikimi i fotografive përmes publikimit në gazetë përbën shkelje të së drejtës së imazhit dhe privatësisë, si rrjedhim jep të drejtën e kompensimit të dëmit pasuror, i cili mund të përcaktohet sipas vlerësimit të kujdesshëm të gjyqtarit.