Për ti dhënë përgjigje pyetjes në rast se a mund të fitohet kuota në një shoqëri tregtare me parashkrim fitues në zbatim të nenit 168 të Kodit Civil, shtrohen për zgjidhje këto pyetje:
- Cila është natyra që ka kuota në një shoqëri tregtare?
- Çfarë përbën kuota në një shoqëri tregtare, një të drejtë apo një send?
Kapitali i një shoqërie përbëhet nga kontributi i ortakëve të cilët vendosin të marrin pjesë në një shoqëri, ku ky kontribut mund të jetë në para, në natyrë – pasuri të paluajtshme, në natyrë – pasuri të paluajtshme apo të drejta.
Përcaktimi që i bën ligji kontributit në një shoqëri tregtare, kupton çdo lloj kontributi, i cili i referohet elementëve të kategorisë së sendeve të luajtshme apo të paluajtshme apo të drejtave të tjera, që kanë në thelb një vlerësim ekonomik. Kur flasim për kontribut në natyrë kemi parasysh atë kontribut që në kuptimin e së drejtës civile përbëhet nga sende të luajtshme apo të paluajtshme[1]. Ndërsa kur flasim për të drejta të vlerësueshme do të kemi parasysh të drejta të tilla, të cilat jo vetëm që janë të vlerësueshme në kuptimin ekonomik, por edhe kanë lidhje me aktivitetin ekonomik të një shoqërie. Si të tilla mund të përmendim të drejtat mbi markat tregtare dhe shërbimit apo të drejtat mbi patentat apo modelet e përdorimit sipas ligjit për pronësinë industriale[2].
Neni 68 i Ligjit për Shoqëritë Tregtare i ndryshuar, parashikon se ortaku e gëzon kuotën në shoqëri në raport me kontributin që ka dhënë në shoqëri. Kuota në një shoqëri tregtare paraqitet si një njësi matëse e pjesmarrjes së ortakut në kapitalin e shoqërisë. Kuota p.sh në shoqëritë tregtare me përgjegjësi të kufizuar, është konsideruar shpesh si një pasuri e luajtshme që mund të qarkullojë lirisht dhe mund të jetë objekt i pengut, uzufruktit apo sekuestros.
Kuotat në një shoqëri mund të transferohen si nëpërmjet akteve të transferimit ndërmjet të gjallëve ashtu edhe për shkak të trashëgimisë (mortis causa). Akti ndërmjet të gjallëve mund të jetë një kontratë shitblerjeje apo dhurimit, pjesëtim kuote, por mund të jetë dhe një kontribut i ri në kapitalin e shoqërisë, etj.
Ligji tregtar, në nenin 72, parashikon detyrimin e shoqërisë që të bëjë regjistrimin e aktit që ka realizuar kalimin e kuotës, sipas nenit 43 të ligjit 9723, datë 03.05.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”. Ky regjistrim në të vërtetë ka efekt deklarativ që do të thotë që nuk është kusht për vlefshmërinë e veprimit juridik të kalimit të kuotave. Kontrata apo akti që verteton kalimin e kuotave është e vlefshme që nga momenti i nënshkrimit nga palët në rast të transferimi me shitje apo dhurim apo në çdo rast tjetër sipas parashikimeve të ligjit.
Sa sipër analizuam arrijmë në konluzionin se kapitali në një shoqëri tregtare përbëhet nga pasuri të luajtshme, të paluajtshme si dhe të drejta. Meqënëse kapitali në një shoqëri tregtare përkthehet në kuotë për ortakun e shoqërisë, mendoj se dhe kuota duhet parë e lidhur natyralisht me kapitalin e shoqërisë dhe si e tillë do të klasifikohet si një send në qarkullimin civil.
Në mënyrë që ky send të jetë i aftë për tu fituar me parashkrim fitues do ti referohemi kuptimit që Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë i ka bërë sendit.
Në nenin 14 të Kodit Civil jepet kuptimi juridik i sendit, ku përcaktohet se: Send është çdo gjë që mund të përbëjë objekt pronësie ose i të drejtës tjetër reale.
Duke pasur parasysh përcaktimet që bëjnë dispozitat ligjore të mësipërme del qartë se, kuota futet në kategorinë e sendeve të luajtshme, prandaj ato i plotësojnë të gjitha kërkesat e ligjit për t’iu nënshtruar parashkrimit fitues sipas nenit 168 të Kodit Civil, për sa kohë ajo mund të konsiderohet send i luajtshëm.
Vlen për tu theksuar se praktika e deritanishme e gjykatave të zakonshme si dhe e Gjykatës së Lartë nuk ka evoluar në lidhje nëse kuota mund ti nënshtrohet parashkrimit fitues, dhe besoj se do të ishte interesante qasja që do të kishin gjykatat në një rast të tillë kur një person kërkon njohjen e pronësisë mbi kuotën me parashkrim fitues në zbatim të nenit 168 të Kodit Civil.
Por ndryshe nga praktika e Gjykatave Shqiptare, Gjykata Italiane konkretisht Gjykata e Milanos, ka elaboruar praktikën e saj duke pranuar se: ushtrimi i vazhduar për më shumë se dhjetë vjet, i të gjitha të drejtave të qenësishme për statusin e aksionerit të një SH.P.K, përcakton shfrytëzimin e pjesës përkatëse të kapitalit aksionar të vetë SH.P.K-së të blerë me mirëbesim. Pasuria e luajtshme rregulli i referuar në nenin 1161 të Kodit Civil, sipas të cilit pronësia e pasurisë së luajtshme fitohet në bazë të posedimit të vazhdueshëm për dhjetë vjet, zbatohet plotësisht edhe për aksionet e korporatave, nëse posedimi është fituar me mirëbesim. gjendja e mirëbesimit prezumohet, në bazë të nenit 1147 të Kodit Civil, me pasojë se nuk ka nevojë të provohet dhe barra e vërtetimit të mosekzistencës së tij bie mbi ata që duan të kundërshtojnë mirëbesimin e të tjerëve[3].
Sipas gjykatës së Milanos, aksionet në një shoqëri, duhet të konsiderohen si një send i luajtshëm. Në lidhje me këtë interpretim, gjykata theksoi dhe jurisprudencën e Gjykatës së Kasacionit të Italisë, duke u shprehur se: “aksionet e Shoqërisë dhe ortakëritë përbëjnë pozicione kontraktuale “objektive”, të cilat, si të tilla, mund të negociohen pasi ato kanë një “vlerë këmbimi” të pavarur, e cila i lejon ato të klasifikohen si “pasuri juridike”[4]
Për të dhënë qëndrimin se kuota mund ti nënshtrohet parashkrimit fitues në zbatim të nenit 168 të Kodit Civil po e ilustroj me një shembull që mendoj se do të ishte interesant në rast se do të pretendohej nga palët:
Personi A ka lidhur martesë ligjore me personin B në vitin 1990. Gjatë kohëzgjatjes së martesës në bashkësinë ligjore është përfshirë Shoqëria Tregtare “X”. Gjatë aktivitetit të shoqërisë në vitin 2016 personi B shet aksionet e shoqërisë tek personi Y pa pëlqimin e bashkëshortes. Personi Y që është bërë pronar i kuotave të shoqërisë me anë të kontratës së kalimit të pronësisë ka regjistruar aktin e kalimit të pronësisë në QKB. Në vitin 2023 bashkëshortja vihet në dijeni të këtij fakti dhe paraqet padi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë duke kërkuar njohjen pronar mbi aksionet e shoqërisë pasi kontrata për kalimin e pronësisë nga personi B tek Y është e pavlefshme pasi nuk është marrë miratimi i bashkëshortes për kalimin e pronësisë. Personi Y duke qënë se ka një kontratë për kalimin e pronësisë nga personi B, si dhe e ka poseduar atë për më shumë se 7 vite, në zbatim të nenit 160 të K.Pr.Civile bën kundërpadi duke kërkuar njohjen e pronësisë mbi shoqërinë me parashkrim fitues në zbatim të nenit 168 paragrafi 1 të Kodit Civil, duke qënë në kushtet e mirëbesimit dhe tjetërsimi i pasurisë nga personi B tek Y është kryer në bazë të një veprimi juridik siç është kontrata e shitjes së kuotave të shoqërisë.
[1] Neni 141 dhe 142 Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë.
[2] Doktoratura Artan Hajdari “Natyra juridike e administrimit të shoqërive tregtare”, faqe 45.
[3] Vendimi nr. 3398, datë 13 mars 2015 i Gjykatës së Milanos.
[4] (Cassation, 7409/1986).