KONTEKSTI DHE VENDIMARRJA E GJYKATËS KUSHTETUESE
- Gjykata Kushtetuese (GjK) me vendimin nr. 30/2023 ka vlerësuar se zbatimi i nenit 511 (d), të KPC-së, në shprehjen “që rregullon pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”, nuk është në përputhje me Kushtetutën në rastet e akteve për dhënie kredie bankare konsumatore, me qëllim që kjo dispozitë të përjashtohet nga rendi juridik vetëm për këto lloj aktesh.
- Në arsyetimin e vendimit GjK shprehet se dispozita bën të zbatueshme të njëjtat rregulla ligjore për kamatat me ato për titujt ekzekutivë “kredi bankare” për qëllime të veprimtarisë tregtare, ndonëse këto dy kategori kredimarrësish janë të ndryshme. Gjithashtu, formulimi i dispozitës së kundërshtuar ia delegon pa përjashtim përllogaritjen e kamatave ligjore për titujt ekzekutivë “kredi konsumatore” dhe “kredi tregtare” rregullave të ligjit nr. 48/2014, ndonëse ky i fundit shprehimisht përjashton nga fusha e zbatimit të tij detyrimet ose pagesat që rrjedhin nga kontratat me konsumatorët. Në këtë mënyrë, dispozita e kundërshtuar nuk përmbush kriterin e parashikueshmërisë së kërkuar nga parimi i sigurisë juridike në rastin e ndërhyrjeve që bën ligjvënësi në të drejtat kushtetuese, përfshirë të drejtën e pronës.
- Vendimi i GjK ka efekt të menjëhershëm sipas arsyetimit që ka bërë vetë gjykata. Kjo është reflektuar menjëherë edhe në praktikën gjyqësore të gjykatave të shkallëve të para, të cilat duket se janë të paqarta lidhur me efektet e vendimit dhe mënyrën e aplikimit ose jo të kamatave ligjore.
PASOJAT E VENDIMIT TË GJK NË JURISPRUDENCËN E GJYKATAVE TË JURIDIKSIONIT TË ZAKONSHËM
- Vendimi i GjK, përtej qartësisë që duhet të sillte, ka çuar në sjelljen e praktikave të diversifikuara lidhur me këtë problematikë. Në rrethe të ndryshme gjyqësore, madje edhe brenda një gjykate, vihen re praktika të ndryshme lidhur me efektet e zbatimit të vendimit të GjK. Disa gjykata nuk aplikojnë kamata ligjore me argumentin se tashmë norma është shfuqizuar nga GjK, ndërkohë disa të tjera, bëjnë një referim në normat e interesit të aplikuara nga Banka e Shqipërisë (BSh). Më poshtë po japim në mënyrë të përmbledhur qëndrimet e gjykatave mbi mënyrën e aplikimit të nenit 511 (d) të KPC pas vendimarrjes së GjK.
Rasti Nr. 1 – Mosnjohja e interesave[[1]] |
Në lidhje me parashikimin e kamatëvonesave sipas nenit 5 të ligjit nr. 48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare” deri në ekzekutimin e titullit ekzekutiv nga përmbaruesi, gjykata vëren se në zbatim të vendimit Nr. 30, datë 02.11.2022 të Gjykatës Kushtetuese, i botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 162, datë 07.12.2022, në të cilin arsyetohet se: […] nenit 132, pika 2 të Kushtetutës, nenit 76, pika 7, shkronja “b” dhe nenit 44, pika 3 të ligjit Nr. 9902, datë 17.4.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, të ndryshuar, në rastin konkret nuk mund të përllogariten kamatat ligjore për titullin ekzekutiv kontrata e huasë Nr. […], datë […] e lidhur midis kreditorit midis shoqërisë “[…]” sh.a. dhe kredimarrësit […]. |
Rasti Nr. 2 – Referenca në normat e interesit të BSh[[2]] |
[…] nisur nga fakti se subjekti që i kundërdrejtohet detyrimi rezulton person fizik-individ, kredimarrësja […] atëherë si i tillë nuk eshte subjekt i ligjit 48/2014, ndaj rrjedhimisht kërkesa për të qenë pjesë e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit, kamatat e llogaritura sipas këtij ligji është e pa mbështetur ne ligj dhe si e tillë duhet të rrezohet. Pala kërkuese të drejtën e saj për të përllogaritur kamatat ligjore në fazën e ekzekutimit ndaj këtij debitori mbi detyrimin mund ta ushtrojë, duke aplikuar normat e interesit për depozitat me afat maturimi sipas normave të interesit të emetuara nga Banka e Shqipërisë për bankat e nivelit të dytë që operojnë në treg. |
[[1]] Sipas vendimit Nr. 41-2022-4027 (794 UE), Datë 29.12.2022, të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.
[[2]] Sipas vendimit nr. 7053 Regj Themeltar, datë 13.04.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
- Më sipër konstatojmë dy praktika krejt të ndryshme gjyqësore të cilat bëjnë zbatim të ndryshëm të vendimarrjes së GjK. Kjo ka sjellë edhe një dyzim dhe paqartësi lidhur me efektet e vendimit dhe mënyrën e aplikimit të tij. Veç këtyre disponimeve një mendim i tretë është edhe mospranimi i kërkesave për përllogaritjen e kamateve duke vlerësuar se individët mund të paraqesin një padi të veçantë në gjykatë.
- Në vlerësimin tonë, përfundimet e aritura në rastin e parë dhe mendimin e shfaqur mbi ngritjen e një padie të posaçme, duket se nuk janë bindëse, nuk i shërbejnë, mbrojtjes të së drejtave të kreditorëve dhe cënojnë të drejtën e palëve për akses në gjykatë. Në vlerësimin tonë, qëndrimi i mbajtur në rastin e dytë më sipër, duket më bindës dhe garanton të drejtat e kreditorëve. Në vijim do të analizojmë qëndrimin tonë duke ju referuar parashikimeve të Kodit Civil, KPC dhe jurisprudencës unifikuese të GjL.
VLERËSIME PËR NJË ZGJIDHJE ALTERNATIVE
- Në vlerësimin tonë, duhet përjashtuar si mundësi mosllogaritja e kamatave nga ana e gjykatës edhe në kushtet e disponimit të GjK mbi mënyrën e zbatimit të nenit 511 (d) të KPC. Në vlerësimin tonë, nuk mund të shërbejë si argument, mos pasja e ligjit dhe për rrjedhojë edhe mos njohja (humbja) e të drejtës për të kërkuar kamatat nga debitori. Në shumë vendime të saj, jurisprudenca e GjK është shprehur se gjykatat nuk mund të pretendojnë mos ekzsitencën e normës me pasojë mospranimin e të drejtave (shiko vendimin nr. 32/2005). Pavarësisht kësaj vlerësojmë se nuk jemi në kushtet e mosekzistencës së normës.
- Neni 1051 parashikon se huadhënësi duhet ti paguajë huamarrësit kamatat për shumën e marrë hua. Ky detyrim nuk aplikohet vetëm në rastet kur palët me vullnet të tyre të lirë parashikojnë se nuk do të aplikojnë kamata. Duke pasur parasysh këtë parashikim, vlerësojmë se qasja se sa kohë është shfuqizuar norma nga GjK, nuk do të mund të aplikohen kamatat, në mungesë të normës, nuk duket e drejtë. Parashikimet e përgjithshme të KC lidhur me kontratën e huas i japin hapësirë gjykatës për ti dhënë jetë kërkimit për përllogaritjen e kamatave. Çështja që diskutohet mund të ketë të bëjë vetëm me masën në të cilën ato do të aplikohen, por jo me faktin e njohjes apo mosnjohjes së tyre. Individualizimi i masës së kamatave në mungesë të parashikimeve ligjore, nuk mund të jetë kusht për mosnjohjen e kësaj të drejtë.
- Edhe për çështje të caktimit të masës së kamatës, vlerësojmë se ekzistojnë mekanizma, të detyrueshëm madje, që mund të orientojnë gjykatën. Kështu në vendimin nr. 932 datë 14.11.2000, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, kanë orientuar praktikën gjyqësore lidhur me elementët e vlefshmërisë së kontratës së huasë përsa i takon pjesës së interesave. GjL pranon se KC nuk parashikon marzhe maksimale të interesave bankare, por nga ana tjetër, vlerëson se parimet e parashikuara në KC, mbi detyrimin e palëve në një marrëdhënie për tu sjelljë me korrektesë, detyrojnë ata që të mos aplikojnë kushte haptazi disfavorizuese (neni 422). Përmbajtja e kësaj dispozite dhe atyre qe percaktojne kushtet e pergjitheshme te kontratave, con ne perfundimin qe edhe liria e kontraktimit nuk është absolute. Në përpjekje për të disiplinuar marrëdhëniet në kontratën e huasë për çështje të marzhit të interesave GjL evokon edhe parashikimet e nenit 662 të KC që i konsideron të pavlefshme kushtet kontraktore që sjellin dëmtim të shpërpjestuar të interesave të njërës palë.
- Nisur nga këto parime, GjL shprehet se në kushtet kur jemi përballë interesave të tilla, jo të barabarta dhe përpjestimore do të ishte e pranueshme që të aplikohen kamatat e parashikuara nga BSh. Kjo qasje e GjL mund të jetë e aplikueshme edhe në kushtet në të cilat ndodhemi pas vendimarrjes së GjK. Në rastet kur gjykata do të konstatojë interesa jo përpjestimore, ajo mund ti referohet parashikimeve të kamatave të aplikuara nga BSh. Legjislacion i aplikushëm në këtë rast do të jetë Rregullorja e BSh “Për Kredinë Konsumatore dhe Kredinë Hipotekare”.[[1]]
- Sa më sipër, vlerësojmë se nëse gjykatat do të vepronin me diligjencën e duhur, mund të garantojnë të drejtat e palëve në proces duke respektuar në tërësi të gjithë kuadrin ligjor dhe jurisprudencën e GjL. Mbetur po tek i njëjti argument, mund të sjellim në vëmednje raste të praktikave të mira ndërkombëtare nga GjEDNj e cila në formulimit të dispozitivit të vendimit veç masës së shpërblimit të dëmit, përcakton edhe normën e interesit siç përcaktohet nga Banka Qëndrore Europiane plus 3% për çdo muaj vonesë.
[[1]] Shiko vendimin Nr. 48 datë 1.7.2015 të Këshillit Mbikëqyrës të BSh
PËRFUNDIME
- Duke qenë se GJK ka shpallur antikushtetues vetëm togfjalshin “që rregullon pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare” gjykatat kanë detyrimin që të vazhdojë të parashikojë kamatvonesat sipas jurisprudencës unifikuese në vendimin nr. 932/2000 duke referuar në aktet regullatore të BSh për caktimin e interesave.